Për ditëlindjen e 14-të ICK me shtëpi të re në Pallatin e Rinisë në Prishtinë

Pas një pune dhe angazhimi të madh së bashku me Kryeqyteti Prishtina dhe Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, ICK tashmë ka filluar zhvendosjen në pallatin ikonik në zemër të Prishtinës. Një NEWBORN tjetër edhe për komunitetin dhe misionin tonë.

Kjo zhvendosje përfaqëson një fillim të ri, energji të ripërtërirë dhe një platformë të re për të rritur ndikimin tonë. Pallati i Rinisë është një nga hapësirat më gjallëruese dhe më të qasshme të Prishtinës. Prania jonë atje do të na mundësojë të bëjmë bashkë nën një çati sipërmarrësit, bizneset startup, studentët, sektorin privat, bashkëpunëtorët dhe komunitetin më të gjerë të inovacionit, duke krijuar një ekosistem edhe më të fortë për inovacion dhe bashkëpunim.

Kalimi në këtë hapësirë nënkupton që ICK do të ketë një shtëpi më të madhe dhe më dinamike për të zgjeruar programet tona, për të mirëpritur më shumë njerëz dhe për të thelluar ndikimin tonë në mbarë qytetin dhe Kosovën. Është një hapësirë që pasqyron saktësisht atë që ne përfaqësojmë: lidhjen, krijimtarinë dhe mundësitë për gjeneratën e ardhshme.

Kjo shtëpi e re do t’i mundësojë ICK-së të:

Zgjerojë programet tona dhe të mirëpresë më shumë sipërmarrës e inovatorë; Krijojë një hapësirë më dinamike dhe më të lidhur për komunitetin; Forcojë bashkëpinimin tonë me Komunën e Prishtinës dhe institucionet tjera; Hapë dyer të reja për bashkëpunim, ngjarje dhe rritje të komunitetit.

Ndërsa përgatitemi për këtë tranzicion, ne gjithashtu reflektojmë mbi rrugëtimin e jashtëzakonshëm që na solli deri këtu. Besimi, partneriteti dhe mbështetja juaj e vazhdueshme kanë luajtur një rol jetik në rritjen e ICK-së drejt organizatës që është sot, dhe asgjë nga kjo nuk do të ishte e mundur pa miq e mbështetës si ju.

Sapo të jemi vendosur plotësisht, do të ju ftojmë në shtëpinë tonë të re, t’ju njoftojmë me hapësirat dhe ta festojmë së bashku këtë arritje të madhe.

Ju falënderojmë që jeni pjesë e historisë sonë. Jemi plot entuziazëm për atë që na pret dhe mezi presim ta ndërtojmë këtë kapitull të radhës së bashku me ju.

Facebook
Twitter
LinkedIn