Mbi 30 biznese startup i bashkohen inkubatorit të ICK-së

Viti i ri ka sjellur shumë energji dhe biznese të reja në komunitetin e Innovation Centre Kosovo. Nga 37 biznese startup të cilët së fundmi i janë bashkuar inkubatorit të ICK-së, 14 janë vendosur fizikisht në qendër, 17 ekipe janë përfitues virtual të shërbimeve, ndërsa 6 prej tyre janë pjesë e programit të para-inkubimit, me qëllim të zhvillimit të mëtutjeshëm të ideve të biznesit.

News

Mbi 30 biznese startup i bashkohen inkubatorit të ICK-së

January 23, 2019

Më shumë se 100 pjesëmarrës, përfshirë anëtarë të ekipeve, partnerë e donatorë ishin të pranishëm në ceremoninë e mirëseardhjes për bizneset startup, të organizuar nga Innovation Centre Kosovo, duke shënuar kështu fillimin e aktiviteteve për vitin 2019.

Bizneset startup, të pranuara nga thirrja e 18-të publike për ide biznesi e ICK-së, vijnë nga drejtime të ndryshme të fushës së Teknologjisë së Informacionit & Komunikimit dhe Ndërmarrësisë Sociale, përfshirë e-commerce, hardware, zhvillues të aplikacioneve dhe software, animacion, blockchain, siguri elektronike, teknologji medicinale, edukim, mbrojtje e mjedisit, etj.

“Mënyra më e mirë për të nisur këtë vit të ri”, u shpreh Uranik Begu, drejtor ekzekutiv i ICK-së, duke shtuar: “Fillim i mbarë, me biznese të reja startup që e kanë pasuruar komunitetin tonë dhe na kanë dhënë të githëve shumë energji, në përpjekjen tonë të përbashkët për shndërrimin e Kosovës në një lider rajonal për ndërmarrësi, inovacion dhe biznese startup”.

Gjatë këtij aktiviteti u lansua edhe “Forward”, programi tre-vjeqar me financim të Ambasadës së Norvegjisë në Prishtinë, i cili do të mbështesë komunitetin e ICK-së me grante deri në 6,000 Euro, mentorim, konsulencë dhe trajnime, me qëllim të krijimit të vendeve të reja të punës, përmirësimin e ambientit të të bërit biznes, si dhe zhvillimin e konkurrueshmërisë së bizneseve startup në sektorin e TIK.

Që nga themelimi më 2012, ICK ka mbështetur mbi 200 biznese startup, ka ndarë grante në vlerë 500,000 Euro, ka ofruar 210 trajnime profesionale për mbi 2,500 pjesëmarrës, si dhe ka organizuar mbi 350 aktivitete locale e ndërkombëtare, me qëllim të promovimit të ndërmarrësisë dhe inovacionit.

ICK mbështetet nga Ambasada e Suedisë, Ambasada e Norvegjisë, Zyra e BE-së në Kosovë, GIZ (CETEP), Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, EFSE (European Fund for Southeast Europe) dhe Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë.



All News
BOLD

© ICK — Innovation Centre Kosovo