Kosova edhe zyrtarisht është pjesë e rrjetit të “Starlink”, dhe këtë e bëri publike vet Elon Musk, mbrëmë në rrjetin “X”. Më poshtë ju sjellim disa të dhëna, të nxjerra nga ligjerata e Dr. Shkëlezen Cakaj, mbajtur javën e kaluar në ICK. Dr. Cakaj është pionier i telekomunikacionit në Kosovë, i angazhuar për 42 vjet në industri dhe 20 vjet në akademi. Në vitin 2009, si studiues i Fulbright-it, ai vazhdoi studimet e tij postdoktorale në NOAA (National Oceanic and Atmospheric Administration) në Maryland, SHBA. Ai është autor i 80 punimeve. Fusha e tij e interesit është performanca e stacionit tokësor satelitor. Dr. Cakaj, së fundmi ka botuar librin “Dizajnimi dhe analiza e stacionit tokësor për satelitët LEO”, Willey, 2022.
Orbitat e lartësive nga 300 km deri në rreth 1,400 km mbi sipërfaqen e Tokës quhën Orbita të Ulëta të Tokës (LEO), ndërsa satelitët njihen si LEO satelitë. Përveç për qëllime komunikimi, satelitët LEO aplikohen edhe për misione shkencore. Aplikimet janë të gjëra, duke përfshirë imazhet e Tokës, astronominë deri në përpjekjet humanitare me rastin e fatkeqësive. Kohët e fundit, përpjekje të rëndësishme ndërkombëtare janë orientuar drejt kornizës për një sistem global komunikimi satelitor i cili do të integrohej me sistemin ekzistues tokësor. Strukturat më të përshtatshme janë satelitët LEO. Lider në këtë drejtim është SpaceX, i cili zhvilloi dhe organizoi konstelacionin satelitor Starlink, nga satelitët LEO të projektuar posaçërisht për të ofruar shërbime interneti, me synim mbulimin global të Tokës.


Janë planifikuar afër 12,000 satelitë “Starlink” të ngriten mbi atmosferë. Nga to 1,440 në lartësi 550km nga Toka, 2,825 satelitë në lartësi 1,110km, ndërsa 7,500 njësi do të ngriten në lartësi 360km. Sipas space.com, planifikohen që 42,000 njësi të ngriten mbi Tokë, në një të ardhme të afërt.
Grupi i parë i satelitëve (60), u ngrit për herë të parë më 2019, ndërsa jetëgjatësia e secilës njesi llogaritet të jetë pesë (5) vite. Qëllimi i raketës “Starship” është që në një udhëtim ti bartë 100 satelitë (për fluturim).
Një satelit “Starlink” ka gjatësi 2.8 metra, gjërësi 1.4 metra, me trashësi 0.2 metra. Pesha mesatare e një njesie është 260 kilogram.

Nga veçoritë më unike të “Starlink” është platforma “Falcon 9” e cila mundëson ripërdorimin e raketës edhe për dërgesat e rradhës, duke ulur koston e operimit të tërë sistemit. Për tu qasur në shërbimet e “Starlink” përdoruesit i duhet pajisja “enë” në Tokë, e cila i merr sinjalet nga satelitët e Starlink, çdo 4 minuta, ndërsa shpejtësia e internetit shkon deri në 220Mbps. Çmimi i “router” sillet mes 418 – 449 dollarë. Për dallim prej ofruesve tokësorë të internetit, Starlink tejkalon barrierat natyrale, shmangë fatkeqësitë natyrore, dhe aktualisht paraqet nivelin më të lartë teknologjik në fushën e komunikimeve.

