Komisioni për Ekonomi, Industri dhe Ndërmarrësi vizitoi Qendrën e Inovacionit të Kosovës

Kjo ishte vizita e parë e ligjvënësve nga përbërja e re e Kuvendit të Kosovës.

News

Komisioni për Ekonomi, Industri dhe Ndërmarrësi vizitoi Qendrën e Inovacionit të Kosovës

June 16, 2021

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i prirë nga nënkryetarja e komisionit Jeta Statovci, dje vizitoi Qendrën e Inovacionit të Kosovës – ICK. Komisioni u prit nga drejtori i ICK-së, Uranik Begu.

Z. Begu informoi deputetët me misionin e kësaj qendre duke potencuar se ICK synon të krijojë prosperitet në biznes dhe në vende të reja pune përmes inovacionit, mbështetjes së ndërmarrësve të rinj, “start-up”-ve dhe bizneseve ekzistuese, me fokus në teknologjinë informatike dhe komunikatave.

Më tutje Begu shoqëroi deputetët nëpër ambientet ICK-së duke i njoftuar ata me të arriturat e ndërmarrësve të rinj dhe “start-up”-ve të cilët kanë qenë përfitues të mbështetjes nga ICK.

Nga ana tjetër deputetët u interesuan për trendet e reja të zhvillimeve në sektorin e inovacionit dhe ndërmarrësisë. Po ashtu deputetët shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar me ICK për të gjetur mekanizmat sa më të përshtatshëm për të mbështetur inovacionin dhe ndërmarrësinë.

Gjatë takimit u potencua se mbajtja e javës së ndërmarrësisë dhe inovacionit në ambientet e Kuvendit do të ndihmonte në senzibilizim më të madh të institucioneve dhe organizatave tjera në mbështetje të ndërmarrësve të rinj. Po ashtu u theksua se mbështetjet financiare nga institucionet të bëhen pas një analize që tregon se krijon mundësi për gjenerim të vendeve të punës dhe rritjes së produktivitetit.

Ky aktivitet i Komisionit u zhvillua si pjesë e planit të punës së Komisionit për të vizituar bizneset për t’u njohur me sfidat dhe kërkesat e bizneseve.



All News
BOLD

© ICK — Innovation Centre Kosovo