KidsDay – aplikacioni për rritjen e mbarë të fëmijës tuaj

“Duhet një fshat për të rritur një fëmijë”. Kjo thënie shpreh bukur rëndësinë e përfshirjes së të gjithë komunitetit në mirërritjen e fëmijës. Prindërit, të afërmit, edukatorët, miqtë dhe fqinjët krijojnë mjedisin e sigurtë ku ndërlidhen të gjitha aspektet fizike, mendore dhe emocionale, aq të nevojshme për zhvillimin e mbarë të fëmijës. Zhvillimi i teknologjisë ofron mundësi që e ngrenë në një tjetër nivel këtë bashkëpunim të domosdoshëm për të ardhmen e çdo fëmije.

Blog

KidsDay – aplikacioni për rritjen e mbarë të fëmijës tuaj

March 01, 2023

Uebaplikacioni KidsDay është risia e radhës ku teknologjia i bashkohet praktikave të mira duke i transformuar ato që të rrisin cilësinë e shërbimit, efikasitetin e shfrytëzimit të kohës dhe më e rëndësishmja, rezultatin final: edukimin dhe formimin e fëmijëve. Ai është zhvilluar për kopshte, qendra ditore dhe shkolla dhe për përdorim nga administrata e këtyre institucioneve, edukatorët dhe prindërit.

Administrata e institucioneve edukative dhe arsimore për fëmijë e shfrytëzojnë KidsDay për të monitoruar performancën e institucionit dhe të ketë në çdo kohë pasqyrë të saktë të aktivteteve dhe pjesëmarrjes së fëmijëve. Edukatorëve u shërben për të lehtësuar menaxhimin e klasave dhe gjenerimin e raporteve të personalizuara për secilin fëmijë rreth aktiviteteve ditore, raporte që u jepen prindërve në fund të çdo dite.
Një tjetër veçori me rëndësi e këtij uebaplikacioni është se ai menaxhon klasat, duke i përcaktuar fëmijët sipas nivelit të moshës, si dhe cakton edukatorët për secilën klasë. KidsDay krijon kalendarin e ushqimit, fushat e aktiviteteve sipas planprogramit të institucionit, mban shënime për alergjitë dhe llojet e vaksinave për fëmijë, monitoron komunikimin me prindërit dhe organizon takime individuale mes edukatorëve dhe prindërve. Të gjitha këto krijojnë një përvojë të personalizuar për secilin fëmijë.

“Prej komenteve që i kemi marrë nga disa prej kopshteve, e kanë llogaritur që me përdorimin e KidsDay i kanë kursyer gati 1 orë në ditë për secilën edukatore, që do të thotë se dhe edukatorët do të kenë më shumë kohë të merren me fëmijë gjatë të gjithë vitit akademik”, thonë nga Kopshti AMA, që janë duke e përdorur KidsDay prej 4 muajsh. Prindërit në veçanti kanë përfitime të prekshme nga shfrytëzimi i KidsDay, pasi çdo ditë marrin informata të detajuara dhe të përpiluara në formë profesionale për disponimin, aktivitetet, ushqimin, kohën në natyrë, gjumin, tualetin dhe progresin e fëmijës së tyre.

“Dinamika e jetës shpesh shkakton stres tek prindërit që i kanë lënë fëmijët në çerdhe ose kopsht. Ndaj, raportet ditore për mbarëvajtjen e ditës së fëmijës, qoftë edhe fotografi spontante nga aktivitetet në institucion që prindërit i pranojnë përmes KidsDay jo vetëm rrisin besimin e tyre tek edukatorët, por edhe ndikojnë në humorin e tyre të mirë gjatë ditës” thotë Bardh Kadiu, themelues i uebaplikacionit KidsDay.

Edhe vetë edukatorët kanë përfitime nga shfrytëzimi i uebaplikacionit, i cili është konceptuar në mënyrë të tillë që të jetë lehtësisht i përdorshëm pavarësisht nivelit të shkathtësive teknologjike të tyre, duke i bërë ata të ndjehen në hap me kohën. Ndërsa administrata menjëherë do t’i ndjejë përfitimet nga shfrytëzimi i KidsDay pasi do të ketë më pak nevojë për dokumente, do të kursejnë kohën dhe shpenzimet për printime, do të ketë më pak qarkullim të prindërve në objektin e institucionit apo telefonata dhe shkëmbime emailash me ta.

“KidsDay kontribuon në ndërtimin e një atmosfere miqësore dhe bashkëpunuese ndërmjet trekendëshit më të rëndësishëm për mirërritjen e fëmijës: prindërve, edukatorëve dhe administratës së institucioneve edukative” shton Z. Kadiu. KidsDay mund të përdoret lehtësisht nga të gjithë në kompjuter personal, laptop, iPad si dhe telefona mobilë (iOS dhe Android). Pasi administrata krijon profilin e prindërve në platformë, ata pranojnë një link për të aktivizuar llogarinë personale ku i pranojnë të gjitha informatat. KidsDay ka hartuar edhe një manual praktik me të gjitha hapat që duhen ndjekur nga prindërit dhe administrata për ta përdorur këtë uebaplikacion. Po ashtu, stafi i KidsDay ofron edhe trajnimin njëditor ku bëhet demonstrimi i platformës dhe si të përdoret ajo. 

Uebaplikacioni KidsDay, që ofrohet në gjuhën shqipe dhe atë angleze, kultivon bashkëpunimin ndërmjet edukatorëve dhe stafit me prindërit dhe kujdestarët e fëmijëve, duke lehtësuar komunikimin e shëndoshë dhe në kohë reale mes tyre, për të krijuar një mjedis të avancuar për rritjen e mbarë të fëmijëve.

Opsionet e aplikacionit mund t’i shqyrtoni këtu.



All News
BOLD

© ICK — Innovation Centre Kosovo