Junior Geeks – programi i shkencës dhe teknologjisë për nxënësit e Kosovës hap aplikimet

Me bashkëfinancim të Departamentit Amerikan të Shtetit nëpërmjet grantit për zbatimin e misionit të bursistëve, MDAO dhe Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, programi për shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë për nxënësit e shkollave të mesme, i njohur me emrin “Junior Geeks”, rikthehet me një edicion të dytë për të cilën mund të aplikoni këtu. Programi tashmë i zgjeruar në 9 regjione, vjen si vazhdimësi e nismës së bursistëve nga Kosova të Departamentit Amerikan të Shtetit – fitues të fondit ndërkombëtar dhe do të zbatohet nga Innovation Centre Kosovo (ICK) dhe Kosovo United States Alumni (KUSA).

Junior Geeks është një platformë gjithëpërfshirëse për nxënës të shkollave të mesme, për të diskutuar, hulumtuar dhe mësuar teknologjinë, ndërmarrësinë, shkencën dhe inovacionin. Programi i parë fitues nga Kosova dhe Europa Juglindore i fondit për Inovacion i Departamentit Amerikan të Shtetit, u çel më 2019 dhe u shërben të rinjve nëpër klube shkollore për të mësuar rreth temave që u ndihmojnë atyre të formësojnë dhe zbatojnë shkathësitë në fushat si: programimi, robotika, mekatronika, siguria kibernetike, marketingu digjital, inteligjenca artificiale, analiza e të dhënave, teknologjia blockchain, dizajnin grafik, SEO, “machine learning”, hulumtimi shkencor, etj.

Për dallim nga viti i parë i zbatimit, “Junior Geeks” 2.0 (2020/2021) zgjerohet në nëntë (9) qytete/regjione dhe do të përfshijë: Prishtinën, Pejën, Prizrenin, Gjakovën, Mitrovicën, Ferizajn, Gjilanin, Skenderajn dhe Graçanicën. Mëse 900 nxënës do të përfitojnë nga programi, i cili tashmë u hap për aplikime, ndërsa nxënësit e interesuar mund të aplikojnë (deri më 31 Gusht) këtu. Disa prej aktiviteteve të programit përfshijnë: takimet e rregullta të klubeve shkollore, ligjeratat dhe trajnimet, vizitat studimore, garat, kampin për shkencë dhe teknologji!

Facebook
Twitter
LinkedIn