ICK mbushi 12 vite – dhe ka shumë arsye për të festuar!

Innovation Centre Kosovo (ICK) ka shënuar 12 vjetorin e themelimit, me një ceremoni zyrtare në terasën e qendrës – një festë e komunitetit, bashkëpunëtorëve dhe mbështetësve.

Në ditën e parë të verës, terasa ikonike e ICK-së u stërmbush me anëtarë të komunitetit, ndërmarrës, bashkëpunëtorë, mbështetës dhe mysafirë, të mbledhur për të shënuar 12 vjetorin e themelimit të qendrës, ndër më të mëdhatë në rajon për mbështetjen e bizneseve startup, sektorit të ICT dhe ndërmarrësisë. Mbrëmja festive u hap me fjalët përshëndetëse nga drejtorja menaxhuese, znj. Metihe Kastrati, dhe anëtarja e bordit, znj. Zana Budima.

Në hapje të festës së 12 vjetorit, përgatitëm një befasi për Uranik Begun, ish-drejtorin ekzekutiv dhe tani anëtarin e bordit. Dhuratë dhe torte, në shenjë mirënjohje dhe falenderimi për kontributin mbi një dekadë, për zhvillimin jo vetëm të ICK-së, por gjithë komunitetit dhe ekosistemit të ICT, bizneseve startup dhe ndërmarrësve.

Nën tingujt e muzikës mjeshtërisht të ekzekutuar nga grupi “Don’t listen to your neighbours”, komuniteti nuk e festoi vetëm ditëlindjen e 12-të të qendrës, por të gjitha të arriturat, ndikimin, dhe tregimet e suksesshme nga viti 2012.

Që nga themelimi, ICK ka përkrahur 600 biznese startup dhe SME, me mbi 5,000 anëtarë, dhe ka ofruar përkrahje financiare dhe teknike në vlerë 8.6 Milion Euro. Komuniteti i ndërmarrësve dhe themeluesve të kompanive startup kanë fituar 33 çmime globale, ndërsa 12 kompani kanë marr investime direkte. Kompani të ndryshme në qendër kanë zhvilluar dhe lansuar 500 produkte dhe shërbime për tregun vendor dhe ndërkombëtar, dhe 155 kompani janë të themeluara ose bashkë-themeluara nga gratë.

Në fushën e zhvillimit të aftësive digjitale, ICK ka trajnuar dhe përgatitur për tregun e punës 12,000 të rinj (40% gra e vajza), nëpërmjet 700 trajnimeve e punëtorive, ka ofruar 500 bursa në vlerë 350,000 Euro, ndërsa mbi 3,000 të trajnuarve u është mundësuar puna praktike në kompani e organizata të ndryshme.

Ngjarjet dhe garat e organizuara arrijnë në shifrat 850, me mbi 200 mijë njerëz të angazhuar, dhe coworking space si pjesë e qendrës i ka shërbyer 800 anëtarëve.

ICK ka dëshmuar se është motori kryesor për inovacion, ndërmarrësi dhe Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit në Kosovë. Dhe tregimi vazhdon!

Çastet e festës mund ti shikoni këtu!

Facebook
Twitter
LinkedIn