BOOST KOSOVO – Deri në 20,000 € për bizneset e gatshme për tranzicion të gjelbër

BOOST KOSOVO rrit mundësitë pasi UNDP dhe BERZH krijojnë partneritet - Deri në 20,000 € për bizneset e gatshme për tranzicion të gjelbër.

Javë më parë, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, lansoi BOOST x Kosova, një program përshpejtues, që do t’iu ndihmojë bizneseve t’i adresojnë sfidat zhvillimore dhe t’i mbështesin në rritje përmes praktikave të gjelbra. Kjo iniciativë bëri bashkë UNDP-në në Kosovë, Ambasadën e Japonisë në Kosovë, Innovation Centre Kosovo (ICK) dhe tani së voni, edhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) e cila ndan të njëjtin angazhim të fuqishëm ndaj qëndrueshmërisë mjedisore.

Ndihma financiare e BERZH-it për këtë nismë do t’i mundësojë BOOST-it të dyfishojë vëllimin e granteve që do të mbështesin dhe financojnë aktivitetet e transformimit të gjelbër brenda komunitetit të biznesit. Deri në 50 biznese në mbarë Kosovën do të mbështeten në rrugën e tyre drejt qëndrueshmërisë përmes mentorimit, përshpejtimit, sesioneve individuale të mentorimit, si dhe qasjes në një rrjet që përfshinë 170 shtete në mbarë botën. Ekipet me zgjidhjet më inovative të gjelbra dhe me potencialin më të lartë për qëndrueshmëri mjedisore do të shpërblehen me deri në 20,000 €, të holla këto për t’u ndihmuar një paraqitje të denjë të zgjidhjeve që kanë zhvilluar.

BOOST x Kosova Sfida e Gjelbër është e hapur për të gjitha ndërmarrjet e vogla dhe të mesme me zgjidhje inovative që promovojnë praktika të qëndrueshme, efiçiente dhe qarkore. Gratë ndërmarrëse inkurajohen fuqishëm të aplikojnë dhe të integrojnë inovacionin dhe teknologjinë në bizneset e tyre. Qëllimi përfundimtar është krijimi i vendeve të reja të punës dhe rimëkëmbja e ekonomisë së Kosovës nga pasojat e pandemisë.

Për më shumë informata rreth sfidës së hapur dhe programit klikoni këtu.

BOOST është një program akselerator i mundësuar nga UNDP për Evropë dhe Azi Qendrore i cili ka për qëllim rritjen e inovacionit social dhe përshpejtimin e Axhendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm. BOOST x Kosova është edicioni lokal i programit, i lansuar nga UNDP Kosova dhe Ambasada e Japonisë në Kosovë, dhe zbatohet në bashkëpunim me ICK. Edicioni i i parë synon të mbështesë bizneset dhe komunitetet që të rimëkëmben nga COVID-19 dhe të ndërtojnë një të ardhme qëndrueshme ndaj klimës.

Facebook
Twitter
LinkedIn