25 biznese startup i bashkohen inkubatorit të ICK-së

Tradita e ICK-së për pranimin e bizneseve të reja në inkubatorin e saj dhe zhvillimin e tyre në fazat e mëtutjeshme po vazhdon

News

25 biznese startup i bashkohen inkubatorit të ICK-së

May 03, 2018

Qendra e inovacionit dhe ndërmarrësisë, ku si për objektiv ka përafrimin e njohurive teknologjike me sektorin e biznesit, me qëllim të krjimit të vendeve të reja të punës dhe krijimit të bizneseve të qëndrueshme, edhe sivjet shpalli thirrjen për aplikim për bizneset startup. Ishte kjo thirrja e 17 për aplikim, ku nga 43 aplikantë, 25 janë pranuar si biznese të reja nën ombrellën e ICK-së. Ky numër i aplikantëve përfaqëson një ndër rundet më të suksesshme të aplikimit, ku dëshmon edhe një herë rëndësinë e ICK-së si pikë referuese e zhvillimit të ideve biznesore duke qenë strukturë bazë në qëndrueshmërinë e ekosistemit të ndërmarrësisë dhe inovacionit në Kosovë.
Të gjithë 43 kompanitë aplikuese ishin pjesë e “startup bootcamp” ku ndër të tjerash mësuan mbi kornizat e planit të biznesit dhe përgatitjen e prezantimit të idesë së tyre (ang: pitch presentation). Nga 25 kompanitë përfituese, 15 janë pjesë e inkubatorit në mënyrë virtuale, ku jo domosdoshmërisht gjenden në hapësirat fizike të ICK-së. 10 të tjerat, janë të vendosura në ICK, ku 4 prej tyre janë në fazën e para-inkubimit dhe 6 në fazën e inkubimit. Sa i përket diversitetit të bizneseve të përzgjedhura, ICK edhe sivjet ka krijuar një portfolio interesante, duke mbajtur standardin e binzeseve brenda fushëveprimit të ICT. Përkundër këtij standardi, ekziston një shumëllojshmëri e nën-kategorive që do të jenë pjesë e inkubatorit, duke përmendur, por jo duke u limituar në fusha si: teknologji shëndetësore, agro-biznese, produkte të bazuara në teknologjinë e blockchain apo edhe biznese të fokusuara në marketingun dixhital.

Faktor i rëndësishëm i cili është llogaritur në vendim-marrjen e përzgjedhjes së kompanive ka qenë edhe faktori shoqëror, i rëndësishëm për një mirëqenje të komuniteteve edhe jashtë kufijve ekonomikë. Një shembull i tillë është edhe Mom’s food, që ka për synim promovimin e ushqimeve të përgatitura nga nënat përmes një platforme të centralizuar. Duke përdorur telefonin, gjegjësisht aplikacionin mobil, objektivi i biznesit është ofrimi i një shërbimi unik të ushqimit të freskët të përgatitur nga kuzhina e shtëpisë. Trikona, një startup në fushën e teknologjisë së shëndetit (ang: healthtech), do të luajë një rol të rëndësishëm në rritjen e transparencës së shërbimeve shëndetësore, duke ofruar kështu një platformë më të qasshme për shërbimet mjekësore dhe shqyrtimin e tyre nga njerëz të fushës. Trendin e teknologjisë blockchain po e ndjekin edhe shumë biznese startup-e në Kosovë. Një i tillë është edhe IrisX, platformë kjo e decentralizuar e marketingut digjital e bazuar në etherum blockchain. Kompania do të ofroj zgjidhje për reklamues dhe publikues, duke përdorur teknologjinë e gjeneratës së fundit, e cila siguron privatësi, transparencë dhe integritet.

Për përfituesit, ICK-ja ofron një varg benefitesh dhe lehtësirash logjistike. Programi i inkubatorit përfshin qasje në grante për zhvillim dhe optimizim të produktit/biznesit dhe shërbime të hosting-ut me një lokacion në zemër të Prishtinës e me një infrastrukturë moderne, e gatshme për përdorim 24 orë. ICK-ja ju ofron këtyre bizneseve po ashtu mundësinë e të qenit pjesë e një rrjeti investitorësh, qasje kjo qoftë e drejtpërdrejtë me investitorin apo nëpërmjet eventeve relevante. Nëpërmjet mentorëve, ICK-ja do të jetë pranë kompanive për çfarëdo lloj konsultimi brenda kornizave biznesore, gjetjes së tregjeve të reja apo edhe rrjetëzimit me akterë të tjerë te sektorit privat ose publik. Pjesë e rëndësishme e paketës së përfitimeve janë edhe partneritetet e ICK-së me Microsoft-in, gjegjësisht “Microsoft BizSpark Network Partner”, i cili është specifikisht i dizajnuar për të përshpejtuar suksesin e fazave të para të startup-eve duke shpërndarë praktika të mira nga anëtarë të tjerë ndëkombëtarë, dhe partneriteti me Amazon Web Services.



All News
BOLD

© ICK — Innovation Centre Kosovo