Lansohet Webfaqja që promovon Diasporën e Kosovës

Lansohet Webfaqja që promovon Diasporën e Kosovës

July 21, 2014 @ 20:24

Webfaqja po ashtu shërben për të fuqizuar lidhjet e diasporës me atdheun dhe anasjelltas. Qëllimi i saj mes tjerash është edhe përmirësimi i imazhit të Kosovës, nëpërmjet storieve të suksesit të shqiptarëve nëpër botë si Rita Ora, Xherdan Shaqiri, Eliza Dushku, Luan Krasniqi, Fadil Berisha, Petrit Çeku, Ardita Statovci, Sislej Xhafa, Yllka Cana, James Biberi, Giorgio Kolaj, Richard Kukaj,  etj. Çdo kosovar që jeton jashtë shërben si urë lidhëse në mes Kosovës dhe pjesëve tjera të botës. Me besimin e plotë që secili kosovar që vepron jashtë kufijve të Kosovës është ambasador i mirëfilltë, KD shërben si platformë për shfrytëzimin dhe fuqizimin e këtij potenciali të diasporës sonë për diplomaci dhe kontribut për zhvillim të vazhdueshëm të vendit në shtetet ku jetojnë dhe më gjerë.

Kosovo Diaspora është një platformë digjitale që ka për qëllim të bëjë ndërlidhjen e kosovarëve me botën dhe anasjelltas. KD punon përmes mediave sociale dhe atyre online në mënyrë që të vë në pah dhe të prezantojë para botës të arriturat e individëve, grupeve dhe organizatave që kanë të bëjnë me Kosovën.  KD është bërë një qendër informimi që mundëson krijimin e lidhjeve për diasporën dhe publikun e gjerë në vende të shumta.

Fillimisht, të pranishmëve iu drejtua Liza Gashi, menaxhere e projektit e cila prezentoi projektin me theks të veçantë në të arriturat dhe sfidat dhe falënderoi përkrahësit, partnerët dhe ekipin e Kosovo Diaspora që kanë kontribuar që kjo platformë të ketë dimensionin që ka tani. “Fatkeqësisht shumë nga fqinjtë publikojnë shumë storie negative për Kosovën dhe ne po munohemi ta ndyshojmë këtë, duke publikuar storie suksesi dhe duke shfrytëzuar gjithë potencialin që kemi” deklaroi Gashi. Përkrahësit e partnerët e këtij projekti janë British Council, Norwegian Embassy, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, Ministria e Diasporës, DEED, IOM, UNDP dhe Innovation Centre Kosovo (ICK).

Uranik Begu, Drejtor Ekzekutiv i Inovation Centre Kosovo përgëzoi këtë iniciativë dhe shprehu përkrahjen e plotë e të vazhdueshme të organizatës që ai drejton për KD. Begu theksoi se bashkëpunimi me diasporën do të jetë përcaktues për suksesin e zhvillimit ekonomik të Kosovës për faktin së pikërisht Diaspora është hallka kryesore për thithjen e investimeve direkte nga jashtë dhe njëkohësisht sjelljen e njohurive dhe praktikave më bashkohore të të bërit biznes.

Ministri i Diasporës Ibrahim Makolli foli për potencialin e diasporës kosovare nëpër botë duke e konsideruar të një vlere dhe rëndësie shumë të lartë jo vetëm për zhvillimin ekonomik të vendit por edhe për përmirësimin e imazhit. “Jam shumë i bindur që nëpërmjet kësaj platforme ne kemi hapur edhe një dritare tjetër, në formën e komunikimit të drejtpërdrejtë me mërgatën tonë, e cila paraqet njërën nga potencialet më të fuqishme të aspektit material dhe financiar”.

Arjeta Emra, drejtoreshë e British Council prezantoi në pika të shkurtra gamën e gjatë të aktiviteteve të diplomacisë publike e digjitale që British Council ka organizuar në partneritet me Ministrinë e Punëve të Jashtme duke u përqëndruar kryesisht në pesëshen e Bashkimit Europian që ende nuk e ka njohur Kosovën. Znj.Emra shprehu optimizëm të plotë lidhur me rezultatet që diplomacia publike e digjitale mund të sjellë lidhur me përmirësimin e imazhit dhe përkrahje për KD.

Petrit Selimi, Zëvendësministër i Punëve të Jashtme e cilësoi KD si një projekt të rëndësishëm duke marrë parasysh rolin shumë të rëndësishëm të  diplomacisë digjitale në promovimin e vendit. Selimi foli për projektet që Ministria e Punëve të Jashtme ka ndërmarrë në këtë fushë me theks të veçantë të Interfaith Kosovo, nismë e cila ka arritur të sjellë në Kosovë cdo vit mbi 700 njerëz nga kënde të ndryshme të botës. Selimi theksoi se nëpërmjet kësaj platforme, bota do ta njohë Kosovën si shtet, por edhe Kosovën si shoqëri.

Kosovo Diaspora, si pjesë e Diplomacisë Digjitale, ka për qëllim të lobojë edhe për njohjen e Kosovës nga shtetet që nuk e kanë bërë akoma, e në veqanti tek pesë vendet e Bashkimit Europian.

Kosovo Diaspora fton të gjithë qytetarët që ta promovojnë platformën dhe diasporën e Kosovës në përgjithësi.



BOLD

© ICK — Innovation Centre Kosovo